Guximi për të treguar – Shekulli

Guximi për të treguar
Tërhequr më 29 Korrik 2011
Film që hyn në histori / “Muajt e mjaltit”, një realitet i cili nga dje hyn në historinë e përbashkët gjithë konflikte, si e para vepër filmike shqiptaro-serbe.
Producentët shqiptarë në Tiranë dhe regjisori Goran Paskaljevic në Beograd, deklaruan dje në të njëjtin moment, hyrjen në programet e festivaleve të Venecies dhe Torontos. Bashkëskenaristi Përmeti: Do të shikoni dy histori njerëzore dhe një film politik
“Muajt e mjaltit” është një realitet, i cili nga dje hyn në historinë e përbashkët të tërbuar nga konfliktet si e para vepër filmike shqiptaro-serbe. Producentët shqiptarë në Tiranë dhe regjisori Goran Paskaljevic në Beograd, deklaruan dje në të njëjtin moment, hyrjen në programet e festivaleve të Venecies dhe Torontos. Edhe pse jo në konkurrim, edhe pa e parë se si ka shkuar deri në fund kjo vepër, lajmi është për t’u gëzuar.
Gazetarët patën mundësi të ndiqnin 10 minuta projeksion nga filmi. Janë momente paralele të dy dasmave, njëra serbe, tjetra shqiptare, dhe shpërbërja e familjeve me ikjen e të sapomartuarve drejt Perëndimit. “Ky është Ballkani,” – do thoshte Bujar Lako, një nga protagonistët e filmit në konferencën e shtypit, pastaj do linte sallën, sepse emocionet e pengonin të shihte veten.
Rroku, kështu quhet personazhi i tij, e rikthen në ekran pas pesë vitesh nga “Syri magjik” i Kujtim Çashkut dhe nga një tronditje e madhe shpirtërore që aktori provoi me humbjen e të vëllait.
Tek “Muajt e mjaltit”, ai dhe gruaja e tij që interpretohet nga Yllka Mujo, janë të lidhur me një mijë fije me të kaluarën dhe jeta e fëmijëve të tyre duket është pjellë nga ky bark. E njëjta gjë edhe në krahun matanë, tek linja serbe. Se si lindi ky film, lexuesi le të lexojë shënimin e regjisorit që Shekulli po e boton të plotë.
Por është normale të gjesh në filmat e Paskaljevicit njerëz kaq shumë të varur nga e kaluara e tyre, aq të varur, sa qëllim kanë të çlirohen ose duke treguar ç’ka ndodhur, viktimat që kanë shkaktuar duke qenë edhe ata vetë viktimë, ose duke u përpjekur të ikin në një drejtim tjetër nga jeta e tyre e deriatëhershme.
Është normale të gjesh në filmat e tij – kamera lëviz gjallë dhe ngjitur me vorbullën e personazheve, me jehonat e tyre të kujtesës ose me rrethin e dhunës ku janë kapur – histori paralele. Ç’ndodh me një njeri, ndërsa një tjetër, në të njëjtin moment, njëlloj si i pari është duke jetuar historinë e vet personale? Paskaljevici, sot 62-vjeçar, bën atë që pothuaj asnjë nga artistët dhe shkrimtarët bashkëkohorë e të dy vendeve nuk e ka bërë. Në ç’drejtim i çon historia e pesëdhjetë viteve të fundit, ç’kah zgjedhin ata vetë të shkojnë? Paskaljevic i sjell, siç thotë ai, në të njëjtën hapësirë imagjinare.
“Muajt e mjaltit” në shqip, “Medeni mesec” serbisht, “Honeymoons” është një nga 
18 premierat botërore që shfaqen në Festivalin e Venecias, në kategorinë më të re të festivalit 66-vjeçar.
E quajtura Venice Days prezanton brenda Lidos 12 filma artistikë dhe 6 dokumentarë nga 12 vende të botës, nga 3 deri më 12 shtator. Në këtë seksion janë “Barking Water” Sterlin Harjo, “Desert Flower” Sherry Horman, “Gordos” Daniel Sanchez-Arevalo etj. Vepra e Paskaljevicit është komentuar kështu: “Muajt e mjaltit”, i pari bashkëprodhim shqiptaro-serb, por mbi çështjen e Kosovës.
Dy çifte të rinjsh që kërkojnë liri, dhe paradoksi i gjoja kufijve të hapur që në të vërtetë janë kurthe vdekjeprurëse, në Hungari apo në Bari qoftë. Regjisori ofron një portret ansambël të kohës sonë duke përfshirë historinë, kundërshtitë atavike ballkanase, Italinë dhe Evropën.
Është filmi më personal, vepra më emocionuese dhe më e fortë e një mjeshtri, i cili u beson qenieve njerëzore, jo pasaportave. Filmi është një prodhim i Nova Film-it.
Në rolet kryesore: Nebojsa Milovanovic (Marko) Jelena Trkulja (Vera) Jozef Shiroka (Niku) Mirela Naska (Majlinda) Bujar Lako (Rroku) Yllka Mujo (Vevo), Lazar Ristovski aktori i parë me shpesh në filmat e Paskaljevicit. Të tjerë aktorë shqiptarë luajnë Rozeta Feri, Kristaq Skrami, Timo Flloko, Çun Lajçi, Myzafer Zifla, Genti Kame etj.
Yllka Mujo, e pranishme në prezantimin e djeshëm në kinema Imperial, e ka quajtur me pak fjalë një “punë vërtet krijuese” atë që ka bërë me regjisorin serb. Ajo veçon nga kjo përvojë të punuarit me një regjisor të talentuar dhe njerëzor që kishte bindjen se ku do të shkonte ky film.
“Për mua modestia, kur shoqëron talentin është një kapak floriri. E falënderoj në distancë regjisorin.” Mujo është shfaqur në ekran me një portret fisnik dhe një trazim të mbytur emocional. Brenda kësaj fryme lëviz edhe karakteri i lodhur, por prapë në këmbë i personazhit të Bujar Lakos, i cili tha se kjo ishte një mundësi që aktorët shqiptarë të jenë kompetitivë në raport me të tjerët. “Për mua ishte një bashkëpunim brilant.
Jam ndjerë sikur kam xhiruar edhe herë të tjera me këtë regjisor. Kam mësuar si mund të impenjohesh në punë, mbi të gjitha kam mësuar si të durosh. Kur futen gjërat në një vorbull dashurie, atëherë rezultat ka. Për ne, Paskaljevic ishte një fat…”
Për këta aktorë karriere ishte bashkëpunimi i parë me një regjisor të huaj, siç ishte edhe më të rinjtë Jozef Shiroka dhe Mirela Naska. Kjo e fundit e quajti Paskaljevicin një shkollë dhe këtë mundësi të parë sikur e kishte kapur fatin prej flokësh.
“Muajt e mjaltit” ishte fillimisht për bashkautorin e skenarit, Genc Përmeti, dy histori njerëzore, por tani “mund të them me bindje se është një film politik. Duket qartë se aspirata e të dyja palëve, shqiptarë e serbë, është Evropa. Ata kanë një mentalitet të avancuar për atë shoqëri ku synojnë të hyjnë. Por pyetja që shtrohet është: A është gati ajo shoqëri të na pranojë?”
Hyrjen në kategorinë Ditët e Venecias, Ilir Butka, një nga producentët e filmit dhe përfaqësues i kompanisë filmike “Ska-Ndal”, e quan pozitive për arsye se “Venice Days” njihet tashmë si këndi independent i këtij festivali, disi larg komercialitetit, pa të cilin festivalet e konsoliduar edhe nuk mund të bëjnë. I promovuar më 2004-ën nga shoqata e regjisorëve dhe autorëve italianë, sipas modelit të Cannes Directors’ Fortnight, ai u jep mundësinë filmave të shpërndahen në 30 vende.
Edhe buxheti i “Muajt e mjaltit” është larg produksioneve që çajnë tregjet. I prodhuar me mbështetjen financiare nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë (Shqipëri) Ministria e Kulturës së Serbisë (Serbi) Pulia Film Commission (Itali), buxheti kap vlerën 1 milion e 400 mijë euro. 
Genc Përmetin e gëzon më shumë pjesëmarrja si një nga tetë filmat e programit “Mjeshtrat” në Festivalin Ndërkombëtar të Torontos, Kanada, 10-19 shtator, sepse aty është ngritur marketi më i madh i kinemasë.
Në vijim të kësaj logjike, në ndihmë të qarkullimit të filmit, folën edhe përfaqësuesit e kompanisë DIGITALB, të cilët kanë të drejtat për shpërndarjen e filmit në kinematë e Shqipërisë dhe Kosovës dhe më pas në TV: “Digitalb është për kinemanë e vërtetë dhe ky është një film i vërtetë. Distribuimi ka për të qenë krejt ndryshe nga çfarë ka ndodhur deri tani me filmin shqiptar.”
Filmi:
Muajt e mjaltit / Medeni mesec / Honeymoons / 2009, 95 min. 35 mm, Dolby digital surround, Vendi i origjinës: Shqipëri, Serbi.
Regjia Goran Paskaljevic/ skenari Goran Paskaljevic, Genc Përmeti. Drejtor fotografie Milan Spasic
Shënim i regjisorit për filmin e parë shqiptaro-serb, “Muajt e mjaltit”
Shqiptarë e serbë teksa presin në derë të Evropës
Nga Goran Paskaljevic
Gjatë diktaturës së egër dyzetvjeçare të Enver Hoxhës, askush nga Serbia nuk u lejua të shkelte Shqipërinë fqinje, mbi tokën e së cilës “u mbollën” qindra mijëra bunkerë mbrojtës. Sot, pas konfliktit në Kosovë, vetëm një numër i vogël serbësh vendos të vizitojë Shqipërinë. Paragjykimet dhe politika e keqe kanë kontribuar në një intolerancë të fshehtë mes dy kombeve.
Para tre vitesh, Genc Përmeti, një piktor dhe shkrimtar i ri, si dhe kolegu i tij, Ilir Butka, producent filmi, në mënyrë të papritur më ftuan të shfaq tre nga filmat e mi në Tiranë; “Fuçi baruti”, “Endrra e një nate dimri” dhe “Optimisti”, e ashtuquajtura “Trilogjia ime serbe”.
Të them të vërtetën, hezitova, por ata ishin aq këmbëngulës, sa më në fund u dorëzova dhe shkova në Tiranë. Gjatë gjithë kohës gjatë së cilës u shfaqën filmat e mi, kinemaja e vetme e Tiranës ishte mbushur plot; kishte njerëz që edhe rrinin në këmbë në korridoret e kinemasë.
Edhe sot, e kujtoj me shumë emocion duartrokitjen veçanërisht të gjatë në fund të çdo shfaqje filmi dhe pyetjet e audiencës, që për asnjë çast nuk ishin keqdashëse, por shumë të hapura, inteligjente dhe të drejta.
Ajo që më surprizoi më shumë ishte fakti që audienca shqiptare i njihte shumicën e filmave të mi të hershëm nëpërmjet kopjeve pirate, që ishte praktikisht e vetmja mënyrë për t’u njohur me filmat serbë.
Gjatë qëndrimit tim të parë në Shqipëri, në dhjetor të 2006-ës, u takova me shumë intelektualë që mendonin ashtu si unë, që qëndronin përtej çdo lloj nacionalizmi të flaktë.
Zbulova se si shqiptarët dhe serbët, edhe pse flasin dy gjuhë komplet të ndryshme, kanë shumë të përbashkëta, dhe më e dallueshmja mes këtyre të përbashkëtave është dëshira për t’u bërë pjesë integrale e Evropës.
Gjatë bisedave të gjata mbi një gotë raki, lindi ideja që ne të përpiqeshim, duke ndërthurur përpjekjet tona, të bënim një film, me regjinë time dhe një staf të përbashkët. Një javë pas largimit nga Shqipëria, shkrova sinopsin e parë.
E imagjinova filmin si një triptik. Historia shqiptare, me bashkëpunimin e Genc Përmetit, është rreth një çifti të ri që kërkon të largohet nga Shqipëria, sepse rrethanat e kanë bërë të pamundur marrëdhënien e tyre. Në vijim, historia serbe flet për një çift të ri që gjithashtu kërkon të shkojë në Evropë me shpresën se ka më shumë shanse se në Serbi.
he në fund, në pjesën e tretë ndërthuren fatet e këtyre dy çifteve. Historitë e tyre shkrihen paralelisht, po ata asnjëherë nuk takohen, siç do të kishte ndodhur në filmat standard.
Sidoqoftë, jam i bindur se në fund të filmit shikuesit do të kenë përshtypjen se këta të rinj, jetojnë në të njëjtën hapësirë imagjinare, teksa presin në derë të Evropës; shqiptarët në një port të jugut të Italisë dhe serbët në kufirin hungarez në magazinën e një stacioni të vogël treni. Megjithatë, pas zhgënjimit të parë të hidhur në këtë botë “më të mirë”, lind një ditë e re për të dy çiftet.
Ngjizja e këtij prodhimi të përbashkët, i pari koproduksion shqiptaro-serb, që ne e quajtëm pa asnjë dyshim “Muajt e mjaltit”, u bë i mundur pas një viti që nga lindja e idesë kur ne morëm mbështetjen financiare nga Ministria Serbe e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë, si dhe Pulia Film Commission.
Xhirimet ecën mbroth, pa vështirësi madhore, edhe pse ne komunikuam me njëri-tjetrin me një mix anglishteje, frëngjishteje dhe italishteje… Pas dy muajsh të kaluar së bashku, lamtumira mes ekipit serb dhe shqiptar të xhirimit ishte prekëse, gati melodramatike; të gjithë ishin me lot në sy.
Të gjithë donim të xhironim së bashku edhe një tjetër film…edhe një tjetër….Duhet shënuar që aktorët serbë dhe ata shqiptarë nuk u takuan kurrë me njëri-tjetrin, edhe pse kanë aktruar në të njëjtin film. Takimi i tyre i parë do të jetë në Festivalin e Venecias.
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s