Marubi, babai i fotografisë shqiptare

Marubi, babai i fotografisë shqiptare

4 giugno 2011 alle ore 2:40

 Emrin e dinastisë së njohur e ka trashëguar konkursi i përvitshëm ndërkombëtar i fotografisë artistike

Nga Aida Dushku
Nuk është aspak e vështirë të identifikohet emri i themeluesit të fotografisë në Shqipëri. Mjafton të hidhet një vështrim historik në qytetin e lashtë të Shkodrës, dhe shumë shpejt mund të kuptosh, se fotografia shqiptare e ka emrin vet. Ai emër është ?Marubi? dhe lidhet me një fis që ka jetuar në qytetin verior shqiptar dhe që me kalimin e kohës kanë trashëguar tek njëri tjetri artin e fotografisë, deri në atë kohë të paparë në Shqipëri. Emri i parë që identifikohet me artin e fotografisë është ai i Marubit. Marubët ishin një dinasti e tërë që i dhanë në të vërtetë emrin celuloidit, duke u nisur nga Pietro që erdhi në gjysmën e dytë të shekullit të XIX në Shkodër e duke vazhduar deri me Gegën, të fundmin e Marubëve, i cili vdiq në vitet ?80 të shekullit XX. Krijues të shkollave të fotografisë shqiptare ata ishin personazhet që fiksuan gjithë historinë një-shekullore të Shqipërisë sidomos të pjesës veriore të saj. Të gjitha momentet e historisë që nga viti 1858 kur patrioti shkodran Hamza Kazazi u vu përpara aparatit magjik dhe deri në 1984, gjithçka mbeti në negativ. 150 000 negativë të krijuar nga Pjetër e Mati Marubi, Kel Marubi e Geg Marubi përbëjnë sot fondin e artë të negativografisë të vendit tonë. Ky art në Shqipëri dhe jo vetëm këtu, por përgjithësisht në Ballkan, nxorri mjeshtra të mëdhej që fillimin e patën tek Marubët. Figurat madhore shqiptare, kostumet, peizazhet e natyrës janë ulur këmbëkryq në atë që quhet kryevepër fotografike e dinastisë Marubi. Në fotoenciklopedinë e vërtetë shqiptare, në harkun kohor të një shekulli, ata ditën se çfarë të vendosnin. Kjo përbënte mesazhin historik të 150 mijë negativëve të tre brezave që ruhen sot me fanatizëm në fototekën ?Marubi?.
Marubët dhe fototeka

Edhe pse sollën në Shqipëri një art që me kalimin e kohës u përdor në Shqipëri, edhe pse fama e tyre është e madhe, edhe pse është i papërshkrueshëm kontributi madhor e të panumërta negativat, punimet që Marubët lanë pas, ndodhen në një qoshe të fototekës së Shkodrës që në mënyrë paradoksale mban emrin legjendar të Marubëve. Jo shumë larg qendrës së qytetit, në rrëzë të asaj që mbase pa të drejtë quhet qendra kulturore e Shkodrës, në kushte jo të përshtatshme, ndodhet fototeka e famshme e Marubëve. Edhe pse tregon për historinë më të dukshme të Shkodrës, fototeka e themeluar prej emrave që lanë gjurmë në historinë shqiptare është në kushte të mjerueshme. Keqardhja më e madhe ndihet kur kujton se gjithë ato filma të panumërt i la në atë fototekë pikërisht njëri prej marubëve, Gega. Ai që ishte aq i kujdesshëm për negativët, që kishte krijuar një fototekë model të rregullit dhe të pastërtisë sipas të gjitha ligjeve që kërkojnë negativat 150- vjeçare, do të ishte i detyruar të përjetonte një pështjellim. Sapo hyn brenda të mbyt era e mykut dhe lagështisë, armike të betuara të negativëve, ndërsa errësira është edhe më e frikshme. Kjo fototekë ka një grumbullim gradual dhe sistematik të veprave në celuloid të Marubëve me një fond prej 150 mijë negativësh. Deri në vitin 1972 ka qenë në duart e Gegë Marubit i cili ia dhuron shtetit pasurinë e tij. Si shpërblim shefat e atëhershëm të kulturës e lanë Geg Marubin të kujdesej për të. Siç tregojnë dhe ata që kanë punuar me zotni Gegën, ai ishte tepër perfekt. Skedarë të rregullt, në çdo skedë qe shënuar koha, data e saktë, vendi i fotografimit madje edhe të dhënat për personazhet që fotografoheshin. Në këtë mënyrë negativët ishin lehtësisht të identifikueshëm. Sipas asaj që shpreh Tereza Marubi, vajza e vetme e Geg Marubit, e fundit që është gjallë nga dinastia, “mbaj mend regjistrin e madh që ishte një libër ku qenë shënuar datat dhe njerëzit. Kështu rastiste që pas 80- 100 vitesh, njerëz të ndryshëm kërkonin tek babai fotot e familjeve. Mjaftonte viti dhe negativi gjendej në pak sekonda në atë arkiv”. Kështu shprehet Tereza që kujton me nostalgji gjithçka që bënte i ati i saj. Aktualisht fototeka Marubi duke harruar gjithçka mbante është në mëshirë të fatit. Në një anë ka mëse 8 vjet që vazhdojnë seri të pafundme gjyqesh në mes familjes Marubi dhe shtetit lidhur me të drejtën e autorit si pjesëtar të vetëm të familjes. Nga ana tjetër, prej 10 vitesh flitet për dixhitalizim dhe kompjuterizim të fototekës por as që mendohet të ndodhë një gjë e tillë megjithëse jepen fonde pas fondesh në kohë të vazhdueshme, megjithëse në fondet e Ministrisë së Kulturës, fototeka e Marubëve është pikë referimi për të gjithë ata që duan të kujtojnë diçka nga madhështia e Marubëve, ndërsa vit për vit mbase e vetmja gjë që i kujton është konkursi i fotografisë ku si ironikisht ftohet ndonjë nga pjesëtarët e familjes që të japë stimujt moralë dhe materialë.
?Marubi? në shekullin e XXI
Pikërisht për këto arsye një prej konkurseve më të mëdhenj në llojin e tij në Shqipëri është quajtur ?Marubi?. Sivjet Konkursi i Fotografisë Artistike ?Marubi? shënon edicionin e gjashtë të tij. Në fillimet e tij, në vitin 1998 ai nisi si një aktivitet që synonte ekspozimin e fotografisë, pa menduar se përmasat e tij do të kalonin shumë shpejt kufijtë shqiptarë. Mjaftoi lajmërimi se edhe një vit më vonë “Marubi” do të mblidhej sërish, për të shtuar në listat e fotografëve, edhe shumë emra të ardhur nga vende të ndryshme të botës. Edicioni i dytë, ishte hapi i parë i konkursit drejt përmasave ndërkombëtare. Ndërkohë, një vit më vonë, “Marubi” do të ishte vetëm një ekspozitë, artistët vetëm sa paraqitën punimet e tyre pa pretenduar çmime. Ndërsa viti 2001 e ktheu sërish në konkurs aktivitetin më të rëndësishëm në zhanrin e fotografisë. Prej tij dalin çdo vit tre fitues, të zgjedhur nga një juri e specializuar në këtë fushë. Fituesit ndër vite janë, Artur Gorishti, Zamir Marika, Alqi Golloshi, Albes Fusha dhe së fundmi sërish Zamir Marika. Ndërkohë edhe sivjet “Marubi” do të shpallë tre fitues të rinj. Çmimi i parë i sivjetëm do të ketë edhe një shpërblim prej 1500 dollarësh, i dyti 1000 dollarë dhe çmimi i tretë 700 dollarë. Janë afër finales organizatorët e edicionit të gjashtë të Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë Artistike “Marubi 2003”. Prej ditësh emrat më të njohur të fotografisë shqiptare enden me projekte në duar, mbledhin materialet e sjella nga fotografë të ndryshëm, dhe hedhin mbi letër idetë për “Marubi 2003”. Edicioni i sivjetëm pritet të sjellë evenimente të reja në organizimin e konkursit. Sivjet kuratori i konkursit është Ilir Butka, ndërsa juria do të drejtohet nga kuratori i vjetshëm Albes Fusha. Megjithatë “Marubi” i sivjetëm është ende në projekte, madje shumë detaje të tij janë në diskutim nga organizatorët. E sigurta është data e fillimit të tij. 25 marsi do të mbledhë edhe sivjet fotografë nga shumë vende të botës, të cilët do të ekspozojnë në muret e Galerisë Kombëtare në Tiranë punimet e tyre më të mira

Shëtitja nëpër botë
Projekti i sivjetëm i “Marubit” përmban shumë elementë të rinj krahasuar me edicionet e tjera. Organizatorët kanë hedhur idenë e krijimit të një pavioni të veçantë, i cili do të “flasë” për historikun e ?Marubit? ndër vite. “Fotografia është art më vete,- thotë kuratori i sivjetëm Ilir Butka.- Një objekt i fotografuar mund të flasë më shumë se asgjë tjetër. Mbase edhe vetë natyra e këtij arti ka bërë të mundur që “Marubi” të zhvillohet me sukses dhe të ketë jetëgjatësi në vite. Tashmë “Marubi”ka krijuar fytyrën e vet, ai i përket vetëm fotografëve”. Por ideja tjetër më e madhe e organizatorëve është diçka tjetër, e paparë ndonjëherë. Punimet e paraqitura në konkursin më të rëndësishëm në vend në zhanrin e fotografisë do të shëtisin nëpër vende të ndryshme të botës. Sigurisht që në fazën në të cilën ndodhet projekti i konkursit të sivjetëm, një gjë e tillë ende nuk është e sigurtë. Megjithatë organizatorët kanë filluar të kontaktojnë me ambasada të ndryshme të huaja në Shqipëri, dhe në disa prej tyre ideja e tyre është përkrahur. Nga ana tjetër, është e nevojshme edhe ndihma e Minitrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, përgjigja prej së cilës ende nuk u është dhënë organizatorëve. “Kemi filluar të kontaktojmë më përfaqësues të ambasadave të ndryshme?,- thotë kuratori i konkursit, Ilir Butka. Bashkëpunimi i tyre do të jetë i nevojshëm që të realizohet shëtitja e konkursit nëpër botë. Deri tani ideja jonë është përkrahur nga Ambasada Daneze dhe Holandeze, por megjithatë ende nuk ka asgjë të sigurt. Presim gjithashtu edhe një përgjigje nga Ministria jonë e Jashtme, e cila do të negociojë për udhëtimin që parashikojmë. Gjithsesi ana teknike dhe elementët e plotë të këtij projekti mund të thuhen vetëm kur gjithçka të ketë përfunduar”.

http://www.albforumi.com/threads/dinastia-e-marub%C3%ABve.5152/reply?quote=254319

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s